Mangalemi 1 nder 5 arsyet per te vizituar qytetin e Beratit

Kompleksi i lagjes “ Mangalem” është unik në artin e ndërtimeve. Ka formën e një piramide që imiton siluetën e kodrës, në majën e së cilës është ngritur kështjella. Mangalemi është një nga pikat më të fotografuara, pikturuara, gdhendur në dru e gurë; është emblema e Beratit.

Shtëpitë e bardha duket sikur i mbivendosen njëra-tjetrës, prandaj ndryshe Berati quhet “qyteti i një mbi një dritareve”.

Legjenda e qytetit të Beratit

Mijëra e mijëra vjet më parë jetonte një Zanë shumë e bukur. Një ditë ajo u takua me dy vëllezër viganë, Tomorin dhe Shpiragun.

Sikurse ndodh shumë herë ndër legjenda dhe shpesh në të vërtetë, të dy vëllezërit ranë në dashuri me Zanën e bukur. Kaq fort ua trazoi zemrat të dy vëllezërve dhe kaq thellë u hyri grindja për të, sa që shpërtheu lufta vëllavrasëse.

Tomorri, duke pasur një shpatë të shkëlqyeshme, i ra vëllait të vet më të vogël brinjëve, ndërsa ky i fundit, i armatosur me një topuz shumë të rëndë, iu turr me furi duke e goditur sa mundte më fort.

Zoti, që shihte çdo gjë, u trishtua dhe u zëmërua prej pamjes aq të dhimbshme, grindjes aq të përgjakshme midis vëllezërve. Ata duheshin ndëshkuar për këtë mynxyrë që shkaktuan. Prandaj, Ai i ktheu fajtorët në gur dhe i dënoi të mbajnë ndër shekuj në trup gjurmët e këtij luftimi të tmerrshëm.

Që nga ajo kohë e lashtë e deri sot vëllai i madh, Tomori, i tregon diellit hapësirat e veta gropa – gropa dhe plasa të panumërta. Ndërsa, vëllait të vogël, Shpiragut, kushdo qënë këto treva, i sheh brinjët e copëtuara e të thelluara vija-vija.

Shkaktarja e kësaj mynxyre, Zana e bukur hirplotë, nuk duhej t’i shpëtonte zemërimit të Zotit, ndaj Ai e ktheu në një kodrinëzë shkëmbore, mbi të cilën një ditë filluan të vendosen gurë mbi gurë dhe u ndërtua një kështjellë e madhe, e bukur, që qëndron edhe sot madhështore mbi qytetin e Beratit.

Zana e bukur, që i donte vëllezërit, po jo zemërimin e tyre të derdhur mbi njeri-tjetrin, qau e qau pa masë.

Ai lumë, që tani mban emrin Osum, sipas legjendës, nuk është gjë tjetër veçse rrëkeja e lotëve, që lagu gurë e shkëmb dhe u derdh mes dy vëllezërve prej Zanës hyjneshë, për t’u treguar se dhimbja për këtë fatkeqësi asnjëherë nuk do t’i shterë lotët.

Arkitektura e lagjes :

Ansambli muzeal i lagjes “Mangalem” shtrihet në formë gjysmëharku në pjesën jugore dhe lindore të kodrës së kështjellës. Ky kompleks banimi mund të ketë qenë nga të parët që përfaqëson dukurinë e zhvillimit të qytetit mesjetar jashtë mureve të fortifikimit gjatë shek. XV-XVI, duke formuar në këtë mënyrë zonën e varroshit. Arkitektura unikale dhe origjinale e banesave duket se i përket kryesisht fazës ndërtimore të shek. XVIII-XIX me ndërthurjen e elementëve të gurit me atë të drurit. Kompaktësia e ndërtimeve, lidhja e përkryer e tyre me truallin ku vendo-sen dhe pamja pak a shumë e njëjtë arkitekturore, e bëjnë këtë ansambël një prej pikave më tërheqëse në tërësinë e vlerave të qendrës historike të Beratit. Ndryshe nga dy lagjet e tjera, “Mangalemi” ka një terren më tepër të aksidentuar dhe mundësia për të realizuar zgjidhje arkitekturore të lira mbetet më e kufizuar. Banesat janë shumë të ngjeshura njëra me tjetrën dhe në pjesën dërrmuese janë të dimensioneve të vogla. Shumica e tyre janë pa oborr dhe pa kopshte, si pasojë, hyrjet e banesave dalin drejt-përsëdrejti në rrugicë. Për të shfrytëzuar çdo sipërfaqe të mundshme të terrenit për banimin, ambientet e katit të sipërm shpeshherë dalin në rrugicë në formë erkeri duke mos penguar kalimin e njerëzve poshtë në kalldrëm. Një hijeshi të veçantë arkitekturës së lagjes i jep edhe prezenca e radhës së dyqa-neve në rreshtin e parë, aty ku aktualisht ushtrojnë ve-primtarinë e tyre biznese të ndryshme të qendrës histo-rike të qytetit. Në shumicën e literaturës turistike, për vetë kompozimin arkitekturor të ansamblit të “Mangalemit”, Berati cilësohet ndryshe edhe si “Qyteti i një mbi një Dritareve”.